Tuesday, December 27, 2011
Saturday, December 24, 2011
Thursday, November 19, 2009
Aleksandër Ludovik Zefi u lind në qytetin e Shkodrës më 13 maj 1978. U rrit në një familje të vjetër shkodrane me origjinë të largët nga Shoshi, nga fisi i Bajraktarit. Aleksandri arsimin fillor, tetëvjeçar dhe të mesëm i mori në vendlindje, në Shkodër. Tani është duke përfunduar edhe shkollën e lartë me shkëputje nga puna. Ka disa vite që merret me biznese të ndryshme. Ka një lokal me emrin “Albo” në rrugën e Kavajës në Tiranë që frekuentohet në masë prej të rinjve, sidomos atyre të dashuruar me sportet.
Aleksandër Zefi i është përkushtuar me shpirt punës në fushën e kulturës dhe traditave me dëshirën për të qenë pjesë e elitave intelektuale shqiptare. Atij i pëlqen gazetaria dhe boton shpesh artikuj për figura personalitetesh në revistën “Krahu i shqiponjës”. Është drejtor në bordin e fondacionit “Shenjtorja Nënë Tereza”. Është angazhuar si përkthyes dhe këshilltar i jashtëm në organizatën ndërkombëtare Diplomatic Mission Peace and Prosperity, gjë që i plotëson dëshirën për të udhëtuar dhe për të njohur botën në rolin e misionarit të Paqes. Pra, ai parapëlqen udhëtimet e largëta nëpër vendet e pazhvilluara, sidomos udhëtimet turistiko-sportive të nxitura nga shpirti i aventurës dhe i humorit të mirë.
Ai është dhe koleksionist relikesh e sendesh të rralla, veçanërisht i orëve. E zgjedhura e tij është ora e markës Rolex.
Aleksandër Zefit i pëlqejnë shumë argëtimet. Një pjesë të mirë të kohës së lirë e kalon duke luajtur shah, merret me sportin e mundjes dhe të kthimit të krahut. Është besimtar i mirë i fesë katolike, gjë që nuk e lë pa përmendur në bisedat me miqtë edhe për faktin se është nip i Dom Mikel Gjergjit, njërit nga priftërinjtë atdhetarë të Shkodrës të pushkatuar nga regjimi komunist. Dihet se priftërinjtë katolikë, duke filluar me Pal Engjëllin, autor i formulës së pagëzimit të shkruar për herë të parë në gjuhën shqipe dhe me shkrimin shqip, që njihet edhe si fillesa e shkrimit të shqipes moderne, Bardhin, Budin, Bogdanin, Fishtën e sa e sa të tjerë, kanë qenë e vazhdojnë të jenë atdhetarë të mëdhenj e mbrojtës të flaktë të çështjes kombëtare shqiptare.
Aleksandër Zefi krenohet edhe me një fakt tjetër: është nip i luftëtarit atdhetar Zek Jakini, i cili është shquar në luftërat kundër turqve. Madje për bëmat e tij rapsodi popullor i ka thurur këngë. Dhe dihet sa të dëshiruar janë heronjtë e trevave të Shqipërisë Veriore për të hyrë në këngët e popullit. Pikërisht është edhe kjo një nga arsyet që ata u përkushtohen bëmave heroike. Dhe është me fat heroi që hyn në këngë.
I urojmë edhe Aleksandër Zefit bëmat e aventurat e një heroi, si i pari i tij Zek Jakini, me dëshirën që të hyjë edhe ai në këngët popullore shkodrane.
Elim Xanxari